Kandidatja për deputete në listën e hapur të Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, zhvilloi një vizitë domethënëse pranë familjes së nderuar të Pandeli dhe Rolanda Sulit – arsimtarë në pension, qytetarë me integritet dhe mbështetës të palëkundur të së majtës në Elbasan.
E shoqëruar nga drejtuesi politik i qarkut, Arbjan Mazniku, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, si dhe kandidati për deputet Adi Qose, Aulona ndau mirënjohjen e saj për kontributin shumëvjeçar të kësaj familjeje në arsim dhe në forcimin e vlerave progresiste në komunitet.
“Familja Suli është një model i qëndrueshmërisë, përkushtimit dhe besimit tek vlerat e progresit. Janë rrënjë të forta të Partisë Socialiste në Elbasan dhe shembull frymëzues për brezat e rinj,” – u shpreh znj. Bylykbashi gjatë takimit.
Vizita u zhvillua në kuadër të takimeve me qytetarë e familje që kanë dhënë ndihmesë të vyer në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të përparuar dhe më solidare – parime që qëndrojnë në thelb të vizionit të PS për Shqipërinë 2030.