Përfaqësues të PS Elbasan dhe Ambasadori i Turqisë vizitë në Teqenë e Madhe për Ditën e Ashures

Në kuadër të festës së Ashures, një ditë me rëndësi të veçantë për komunitetin bektashian, përfaqësues të Partisë Socialiste të Elbasanit zhvilluan një vizitë në Teqenë e Madhe të qytetit, duke përcjellë urimet e tyre për këtë ditë simbolike të paqes, sakrificës dhe dashurisë njerëzore.

Në këtë vizitë morën pjesë deputetja Aulona Bylykbashi, deputetët e zgjedhur në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e 11 majit, kryetarja e PS Elbasan, znj. Mira Urupi, si dhe Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, SH.T.Z. Tayyar Kağan Atay. Të shoqëruar nga ekipi lokal i Partisë Socialiste, ata u pritën nga Baba Ardit Selmani, të cilit i përcollën urimet më të mira me rastin e festës.

Në një atmosferë të ngrohtë shpirtërore dhe respekti të ndërsjellë, u theksua rëndësia e kësaj dite për forcimin e lidhjeve ndërfetare dhe promovimin e vlerave të tolerancës, bashkëjetesës dhe solidaritetit.

“Uroj që kjo ditë e shenjtë të sjellë paqe, mirësi dhe dashuri në çdo familje dhe në çdo zemër”, u shpreh deputetja Aulona Bylykbashi në mesazhin e saj.

Festa e Ashures përkujtohet tradicionalisht nga komuniteti bektashian si simbol i sakrificës, besimit dhe shpirtit njerëzor, duke ruajtur një vend të veçantë në mozaikun shpirtëror të qytetit të Elbasanit.