Vetëm 5 kilometra larg Elbasanit, në fshatin piktoresk të Byshekut, u zhvillua këtë fundjavë “Byshek Fest”, një festë që ringjall dhe forcon një traditë të kahershme të elbasanasve, të ulesh nën hijen e rrapeve shekullorë dhe të freskohesh me ujin që buron nga malet përreth.

Në këtë festë mori pjesë deputetja e PS, Aulona Bylykbashi, e shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe deputetja Evis Kushi.

Bylykbashi e cilësoi atmosferën si të jashtëzakonshme.

“Festa e Byshekut erdhi me plot gjallëri, muzikë dhe buzëqeshje! Nën hijen e rrapeve shekullorë dhe pranë burimeve të freskëta, tradita u kthye në festë, duke sjellë gëzim për komunitetin dhe shije për të gjithë. Elbasani di të festojë me kulturë, natyrë dhe zemër.”

Me muzikë live, ushqime tradicionale dhe aktivitete për fëmijë, Byshek Fest sjell në vëmendje jo vetëm bukuritë natyrore të Shushicës, por edhe kujtesën historike të brezave që prej dekadash e kanë zgjedhur Byshekun si vendin ideal për pushim e shlodhje.

Kjo festë është një dëshmi e gjallë e lidhjes së qytetarëve me natyrën dhe traditën, duke e bërë Byshekun një nga pikat më të dashura turistike e kulturore të Elbasanit.