Aulona Bylykbashi, e caktuar si deputete e Rajonit 5, ka vijuar angazhimin e saj pranë komunitetit, duke takuar qytetarët dhe strukturat e Partisë Socialiste në këtë rajon. Takimet shërbyen për të ripërsëritur premtimin e dhënë gjatë fushatës së 11 majit, kur ajo fitoi zgjedhjet, të jetë gjithmonë pranë komunitetit dhe të dëgjojë nevojat e tyre.

Deputetja shprehu mirënjohjen për çdo rezultat të arritur në fitoret e Partisë Socialiste, duke theksuar se çdo sukses është fryt i punës së përbashkët dhe besimit të qytetarëve.

Aulona Bylykbashi nënvizoi se forca e Partisë Socialiste qëndron në aftësinë për t’u riorganizuar dhe për të nisur menjëherë punën, edhe kur është fituese, duke rikujtuar se fitorja nuk është fundi, por fillimi i përgjegjësisë së përbashkët ndaj komunitetit.

Kryetarja e Partisë Socialiste, Ermira Urupi, e cilësoi Aulonën si një vajzë të fortë dhe krahun e fortë të kryetarit të Bashkisë, Gledian Llatja, duke shprehur besimin se deputetja do të jetë një mbështetje e fortë për Rajonin 5 dhe për të gjithë Elbasanin.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, u shpreh i bindur se Aulona Bylykbashi do të jetë një krah i fuqishëm për zhvillimin e rajonit dhe për ecurinë e qytetit.

Deputetja Bylykbashi theksoi se sot nis një punë e përbashkët për të ecur përpara.

“Ky është një nga rajonet ku PS ka bërë një punë të mrekullueshme, duke dhënë një rezultat shumë të mirë dhe jemi shumë falenderues. Këshillat socialistë në këtë rajon janë të organizuara në mënyrë të shkëlqyer, dhe shtimi i energjisë dhe organizimit do të na japë rezultate edhe në zgjedhjet e 2027, si për kryetarin e Bashkisë, ashtu edhe për zgjedhjet parlamentare më vonë. Kur ke një ekip të mirë, mendoj se ia del mbarë,” u shpreh deputetja.
Takimi i zhvilluar në Rajonin 5 shënon një hap të rëndësishëm në angazhimin e Aulona Bylykbashi pranë komunitetit dhe strukturave të Partisë Socialiste. Me mbështetjen e drejtuesve të PS dhe bashkëpunimin e qytetarëve, deputetja synon të forcojë lidhjen me komunitetin, të adresojë nevojat e qytetarëve dhe të kontribuojë në zhvillimin e Rajonit 5 dhe të gjithë Elbasanit.