Deputetja e Elbasanit, Aulona Bylykbashi, ka vlerësuar vendimin e Komisionit Europian për miratimin e 99.3 milionë eurove në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si një sinjal besimi dhe mbështetjeje për reformat që po ndërmerr Shqipëria në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Në një postim në rrjetet sociale, Bylykbashi thekson se 46.2 milionë euro nga kjo shumë do t’i kalojnë drejtëpërdrejt Buxhetit të Shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për projekte infrastrukturore përmes mekanizmit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
“Ky është një vlerësim konkret për reformat dhe përpjekjet e Shqipërisë drejt përafrimit me standardet e BE-së. Mbështetja e Komisionit Europian tregon se vendi ynë është në rrugën e duhur drejt integrimit europian,” shkruan ndër të tjera deputetja Bylykbashi.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor synon të nxisë zhvillimin ekonomik, integrimin rajonal dhe afrimin e vendeve të rajonit me tregun e përbashkët europian.
