Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave, deputetja e PS Aulona Bylykbashi ndan një mesazh për vajzën e saj, Grejs, një reflektim për rritjen, barazinë dhe guximin e çdo vajze që ëndërron të jetë e lirë. Përmes këtij mesazhi personal, ajo përcjell frymëzimin e një nëne, një gruaje dhe një përfaqësuese që beson në fuqinë e vajzave për të ndërtuar një botë më të drejtë dhe më të barabartë.
“Për Grejs dhe çdo vajzë që ëndërron të jetë e lirë”🌸
Grejs,
Të shoh tek rritesh çdo ditë – tek mënyra si i përqasesh shoqërisë me kureshtje, si vendos për veten pa pasur frikë të thuash “jo” apo “po”, si flet pa komplekse e me sytë që shndrisin kur mbron mendimin tënd. Tek gjestet e tua të vogla shoh shenjat e një gruaje të lirë që do të bëhesh nesër. Dhe kjo më mbush me besim.
Për mamin tënd, dhe për shumë të tjera si unë, nuk ka qenë gjithmonë e thjeshtë të thuash atë që ndjen e mendon. Kam ndjekur studimet me etjen për t’u rritur në dimensionin intelektual, ndërkohë që brenda meje rritej jeta më e çmuar. Jam ulur në tryeza pune si e vetmja grua mes burrave, por gjithmonë jam ngritur prej tyre me bindjen se një ditë shumë gra të tjera do të ishin krah meje. Sepse çdo vend mund të bëhet i yti, nëse hyn me dije dhe dinjitet – tipare që gratë dhe vajzat i mbartin në mënyrë unike.
Grejs, dua të dish se barazia nuk është dhuratë – është një hap që merret me guxim. Se drejtësia fillon brenda shtëpisë, aty ku ndahen dashuria dhe përgjegjësitë. Dhe se liria është një e drejtë që duhet jetuar çdo ditë, jo vetëm mbrojtur me fjalë.
Dua që koha jote të jetë për ndërtim, për ëndrra të reja, për dashuri pa kufij.
Kur një ditë të gjendesh mes familjes dhe karrierës, mes ëndrrës dhe frikës, kujto këtë: nuk ke pse të heqësh dorë nga njëra për tjetrën. Ti mund të gjesh ekuilibrin tënd, sepse forca e një gruaje është pikërisht aftësia për të krijuar harmoni aty ku të tjerët shohin pengesa.
Dua që ti të jesh një zë që flet më fort, një zemër që guxon më shumë, një dorë që mbështet vajzat e tjera që kanë nevojë për forcë.
Dhe mos harro kurrë, Grejs: çdo vajzë që guxon të ndezë dritën e saj, ndriçon edhe rrugën e të tjerave.
🌹 Gjithë jetën me ty, për ty e për çdo vajzë. 💕
