Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, e zgjedhur më 11 maj, zhvilloi këtë javë dy vizita në zona të ndryshme të Bashkisë Elbasan, ku u njoh nga afër me histori frymëzuese rikthimi, investimi dhe zhvillimi rural.
Në Gjinar, Bylykbashi vizitoi bujtinën “Shtëpizat”, një model turizmi familjar të ngritur nga Kleisa Karaj, e kthyer nga Zvicra për të investuar në tokën e gjyshërve. Me shumë vështirësi për të regjistruar pronën dhe nisur punën, Kleisa sot ofron një përvojë autentike mikpritjeje në zemër të natyrës, duke treguar se dashuria për vendlindjen mund të kthehet në një mundësi ekonomike.
“Njerëz si Kleisa janë dëshmia më e mirë se kur politika hap rrugën, energjia e qytetarëve bën mrekulli. Paketën e Maleve e kemi ndërtuar pikërisht për t’u kthyer në mbështetje konkrete për histori si kjo,” u shpreh deputetja Bylykbashi gjatë vizitës.
Ky investim përputhet me objektivat e Paketës së Maleve, një nismë që lehtëson procedurat për leje ndërtimi dhe mbështet financiarisht agroturizmin, bujtinat, hotelet malore, fermat apo linjat e agropërpunimit.
Në Gjergjan, konkretisht në fshatin Thanë, deputetja Bylykbashi ishte e shoqëruar nga deputetja Evis Kushi. Të dyja vizituan investimin e familjes së Thanas Ranxhës, e cila pas vitesh emigrimi është rikthyer për të zhvilluar bujqësinë në vendlindje, duke ngritur sera moderne dhe duke sjellë prodhime cilësore në tregun vendas. Në fokus të takimit ishin sfidat dhe potencialet që kanë fermerët shqiptarë për ta çuar bujqësinë në një nivel të ri.
“Produkti vendas nuk është thjesht ushqim është siguri, shëndet dhe ekonomi për familjet shqiptare,” theksoi deputetja Bylykbashi gjatë bashkëbisedimit me fermerët dhe banorët e zonës.