Deputetja e zgjedhur në 11 maj, Aulona Bylykbashi, dhe deputeti Adi Qose kanë zhvilluar një ndalesë simbolike në Kodrën e Krastës, një nga hapësirat më të rëndësishme të gjelbërta të qytetit të Elbasanit. Vizita erdhi në kuadër të turit të takimeve pas fitores, me synimin për të dhënë një mesazh të qartë mbi mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e ndërgjegjësimit qytetar.
“Kodra e Krastës me kurorën e saj të gjelbër është mushkëria e Elbasanit. Në këto ditë të nxehta, Krasta është një oaz i freskët, një vend pushimi dhe relaksi për familjet dhe fëmijët tanë. Të gjithë ne kemi detyrimin ta mbrojmë dhe ta duam këtë pasuri të përbashkët,” u shpreh Aulona Bylykbashi.
Nga ana e tij, deputeti Adi Qose theksoi rëndësinë e ruajtjes aktive të mjedisit:
“Krasta duhet të jetë një hapësirë që e përmirësojmë dhe e trashëgojmë për fëmijët tanë. Të vijojmë të mbjellim, të rrisim gjelbërimin dhe të shmangim çdo zjarrvënie të mundshme. Ndërgjegjësimi qytetar është arma më e fortë për ta mbrojtur mushkëritë e Elbasanit,” tha Qose.
Pas ndalesës në Krastë, deputetët zhvilluan një tjetër takim me banorët e lagjeve “Luigj Gurakuqi” dhe “Emin Matraxhiu”, në Rajonin 1. Në qendër të bashkëbisedimit me qytetarët ishin hapësirat e përbashkëta në zonat e banuara, sfidat komunitare, dhe nevoja për zbatimin e ligjit të ri për bashkëpronësinë në banesat kolektive.
Takimet vijojnë si pjesë e një angazhimi të deklaruar nga deputetja Aulona Bylykbashi për të qenë pranë çdo komuniteti që i besoi votën, me qëllim që shqetësimet e përditshme të përkthehen në politika të prekshme dhe ndërhyrje konkrete në terren.